Jan 09

Administrimi Italian në Çamëri në vitin 1917

1 Hyrje

Trupat italiane filluan marshimin drejt Çamërisë dhe Janinës në fillim të qershorit 1917.1) Më 8 qershor 1917, komandanti i trupave të pushtimit, koloneli Delli Ponti, shpalli zyrtarisht para popullit të Janinës “pushtimin për arsye ushtarake të qytetit” duke deklaruar se “trupat italiane do të respektojnë dhe garantojnë personin, pasurinë dhe besimin tuaj fetar”2) Meqenëse njësitë ushtarake italiane të vendosura në jug të kufirit të Londrës të vitit 1913 ndodheshin në përbërje të Korparmatës së XVI të ushtrisë italiane, komandanti i saj Gjenerali Giacinto Ferrero me seli në Gjirokastër, lëshoi edhe ky një proklamatë drejtuar popullit të Çamërisë dhe Janinës, më 20 qershor 1917, ku deklaronte se “trupat tona vijnë tek ju si miq, dhe pra ata do të respektojnë në maksimum fenë, zakonet, gjuhën, dhe funksionimin e shkollave tuaja Ato do të mbrojnë sigurinë dhe rendin tuaj dhe të vendit tuaj kundër kujtdoqoftë që do të përpiqej që të kërcënonte mirëqenien, interesat dhe pronën tuaj.”3)

Hyrja e trupave ushtarake italiane në Çamëri, edhe pse u paraqit për qëllime thjesht ushtarake – si masë mbrojtëse për krahun jugor të trupave italo-franceze në Ballkan ndaj kërcënimeve që mund të vinin nga paqëndrueshmëria e gjendjes politiko-ushtarake në Greqi4) dhe nga prania e trupave austro-hungareze në Shqipërinë Mesme dhe të Veriut – përsëri përmbante një ngarkesë të theksuar politike dhe diplomatike që mund të sillte në ripërcaktimin e kufirit jugor të Shqipërisë, duke përfshirë edhe territorin e Çamërisë. Kjo mbështetet deri diku nga nga fakti se ndërhyrja italiane në Janinë dhe Çamëri përkonte në kohë me Deklaratën e famshme të Gjeneralit Ferrero të datës 3 qershor 1917 në Gjirokastër, ku shpallej solemnisht “bashkimi dhe pavarësia e gjithë Shqipërisë nën kujdesin dhe mbrojtjen e Mbretërisë së Italisë.”5)

Ndërhyrja ushtarake italiane në Çamëri u krye me shpejtësi dhe në rrugë paqësore. Trupat greke u tërhoqën pa kurrfarë qëndrese. Sëbashku me ta u larguan edhe funksionarët civilë të administratës së Athinës,6) të cilët nuk harruan të tërheqin me vete edhe të gjithë dokumentacionin dhe arkivat e administratës.7) Duhet theksuar se kjo zbrazëti e vështirësoi edhe më shumë punën e administratës italiane, e cila duhej të fillonte gjithshka nga e para.

Zona e ndërhyrjes italiane përfshinte një sipërfaqe prej rreth 10,000 km katrorë. Ajo kufizohej në perëndim me Detin Jon në vijën prej Kepit të Stillos, deri në grykëderdhjen e lumit të Gliqerisë (të quajtur edhe Fanariot ose Akeron(8), në lindje nga malet e Pindit, në jug nga rrjedha e lumit Fanariot, gryka e Kënetës dhe Përroi i Meçovës, kurse në veri nga kufiri i caktuar në Konferencën e Londrës më 1913. Kjo zonë, sipas burimeve italiane, banohej nga një popullsi prej rreth 200,000 vetësh, prej të cilëve “60,000 banorë të pjesës perëndimore ishin në shumicën dërrmuese të kombësisë shqiptare”, në lindje kishte rreth 40,000 banorë me shumicë të kombësisë arumune, dhe në pjesën qendrore rreth 100,000 njerëz, ose gjysma, që në pjesën më të madhe autori i konsideronte me termin e paqartë si “greko-epirotë”.(9)
Është për t’u theksuar se Çamëria dhe Janina gjatë kësaj periudhe u var nga pikëpamja ushtarake si dhe civile administrative nga Gjirokastra, në dallim prej traditës së vendosur nga sundimi i Ali Pashë Tepelenës. Në njëfarë mase, kjo kujtonte epërsinë e Gjirokastrës si kryeqendër e Shqipërisë së Poshtme, sidomos gjatë periudhës së princërve arbnorë të derës gjirokastrite të Zenebishëve10).

2. Gjendja e përgjithshme në Shqipërinë e Poshtme para ndërhyrjes italiane në Çamëri.

Sikurse u përmend më lart, Shqipëria në fillim të vitit 1917 ishte nën administrimin ushtarak të shteteve ndërluftuese në Luftën e Parë Botërore, dhe më konkretisht:

1.       Austro-Hungaria ishte vendosur në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, kurse trupat e ushtrisë bullgare mbulonin krahun e saj të majtë;
2.       Franca në Korçë dhe rrethet e saj, dhe
3.       Italia në Vlorë dhe Gjirokastër11).
Qysh prej fillimit të Luftrave Ballkanike më 1912 dhe invazionit grek, popullsia e Shqipërisë së Poshtme kishte pësuar vuajtje të padëgjuara si pasojë e masakrave, vrasjeve, djegieve, shkatërrime dhe dhunimeve të çdo lloji prej ushtrisë së rregullt greke, si dhe prej bandave të ndryshme të ardhura nga Kreta e vise të tjera të Greqisë.

2.1 Në Shqipërinë e Jugut

Lidhur me shkatërrimet dhe masakrat e kryera në Shqipërinë e Jugut përmendet se gjatë periudhës së të ashtuquajturit “Epir autonom”, “në rrethin Kolonjë u shkatërruan 49 fshatra; në Kurvelesh 15, rrethin e Leskovikut 18 fshatra, vetëm në qytetin e Leskovikut që numëronte rreth 10 mijë banorë dhe që tash kishte vetëm 1500 u shkatërruan rreth 400 banesa, midis të cilave përfshiheshin shtëpi myslimanësh të pasur; në rrethin e Përmetit u shkatërruan 50 fshatra, në Panavik të Madh u kryen masakra të vërteta ku nuk u kursyen madje as gra dhe fëmijë; në Tepelenë u shkatërruan rreth 43 fshatra, midis të cilëve edhe Hormova, paria e të cilit, përmbi 80 veta, u shpunë në një teqe aty pranë në fshatin Kodër me pretekstin se do të diskutonin e do te merreshin vesh, dhe pasi i futën brenda, i mbyllën dhe i vunë zjarrin teqesë, ku edhe vdiqën të gjithë.”12))

Përmendet gjithashtu se në Delvinë u shkatërruan 13 fshatra, në Korçë 29, në Skrapar 26, në Dangëlli 24, etj. Në rrethin e Përmetit mbetën pa strehë rreth 2500 familje, dhe se midis fshatrave Paçom dhe Kofinë të Përmetit u vranë 80 burra e gra, ndër të cilët tri gra u dogjën të gjalla; në Zhepovë u vranë thuajse të gjithë banorët, përfshirë edhe fëmijë, prej të cilave u masakruan 8; në Bakaj u vranë shumë gra, përfshirë edhe gra shtatzëna.13)

Një dëshmi të gjallë të mizorive greke në Shqipërinë e Poshtme ka dhënë edhe studiuesja angleze Miss E. Durham në librin e “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike.” Gjatë udhëtimit të saj në Korçë më 30 qershor 1913, Miss Durham pa qartë “terrorin e heshtur” nën të cilin jetonte qyteti si pasojë e pushtimit të tij nga trupat e Kolonelit Kondulis. Misionarët amerikanë ishin përzënë nga qyteti brenda njëzetekatër orësh, shkollat shqipe po mbylleshin duke u konsideruar si “shkollë austriake”, ndërkohë që për popullin e qytetit ato ishin “fener drite”.14)

Krime, mizori e terror edhe më i madh u ndërmorën në Shqipërinë e Jugut sidomos gjatë vitit 1914. Pas tërheqjes së trupave greke nga Korça dhe dorëzimit të qytetit administratës shqiptare, grekët organizuan sulmin ushtarak kundër Korçës më 2 prill 1914. Në të morën pjesë disa trupa të lëna në spital si të plagosur, njerëz të peshkopit grek, një grup studentësh grekofilë nga brenda qytetit, si dhe disa njësi të ushtrisë greke nga jashtë. Sulmi i tyre mbi qytetin u thye, por si raprezalje grekët gjatë tërheqjes, dogjën fshatra të tëra, përfshirë qytetin e Leskovikut, dhe bënë masakra. Sipas Ms. Durhami, forcat shqiptare do t’i kishin dëbuar grekët edhe matanë Gjirokastrës po të mos kishin ndërhyrë trupat e rregullta të Gjeneralit Papulias, i cili nxiti më vonë edhe të ashtuquajturën “kryengritje epirote” me në krye të ashtuquajturën qeveri të Zografit.15)

Në verën e vitit 1914 Miss Durham njoftohet për masakra të reja në jug të Shqipërisë. Ajo përmend, për shembull, një telegram të dërguar më 11 korrik 1914 nga Berati, ku njoftohej rënia e Korçës përsëri në duart e ushtrisë greke, dhe ku theksohej se “në drejtimin tuaj janë nisur më tepër se 50 mijë frymë [dhe se] ushtria greke po shpërndahet në të gjitha drejtimet, po vret e po pret, po djeg dhe po e bën pluhur e hi çdo krahinë ku ajo shkel”. Ajo përshkruan me hollësi gjendjen dhe vuajtjet e tmerrshme të të paktën 70 mijë refugjatëve “që arrinin në Vlorë në frymë të fundit”, ndërkohë që “më tepër ndodheshin midis Beratit dhe Vlorës dhe të tjerë ende vazhdonin të dyndeshin”.16)

Në mëngjesin e 31 korrik 1914, Miss Durham niset vullnetarisht së bashku me Ernst Goerlitz, korrespondent i “Deutsches Tages Zeitung” drejt zonave malore të Labërisë për t’u siguruar se vendndodhja e trupave greke nuk kërcënonte kthimin e mundshëm të të shpërngulurve për në shtëpitë e tyre, me qëllim që ata të shpëtonin prej gjendjes së tyre të mjeruar midis “vapës së tmerrshme dhe atmosferës së infektuar e tërë ethe të fushave të Vlorës.” Të nesërmen Miss Durham dhe Z. Goerlitz mbërritën në postërojen e fundit shqiptare përtej Dhëmblanit, dhe pasi kapërcyen malin, panë me sytë e tyre vendosjen e formacioneve të rregullta ushtarake greke. Ata panë gjithashtu se “i gjithë shpati i malit ishte mbuluar me pulla të zeza [dhe] fushat me misër që ne shpresonim të korrnim, i kishin djegur grekët që populli të vdiste.” Jo vetëm që kjo pamje vërtetonte se kthimi i të shpërngulurve në shtëpitë e tyre ishte i pamundur por, shkruan Miss Durham, ajo “hidhte poshtë plotësisht gënjeshtrën e grekëve se në këtë çështje ishin implikuar “kryengritësit epirotë” dhe jo ushtria e rregullt greke.”17)

Trupat greke ndërmorën gjithashtu një fushatë sistematike për shkatërrimin dhe djegien e të gjitha institucioneve të kultit që cënonin influencën dhe hegjemoninë e kishës ortodokse greke. Kështu, për shembull, studiuesit bashkëshortë Frederick dhe Margaret Hasluck kanë dokumentuar relativisht me hollësi shkatërrimin sistematik të teqeve bektashiane në jug të Shqipërisë. Shkaku për këtë ishte sepse “urdhëri i Bektashinjve ishte përshirë në lëvizjen kombëtare shqiptare (pra anti-Greke), dhe se disa teqe dyshohej se kishin strehuar jo vetëm ‘banda’, por edhe kriminelë të kërkuar nga drejtësia duke ndarë me ta plaçkën”.18)

Studiuesit e mësipërm përmendin se trupat greke shkatërruan teqetë e Turanit, Memaliajt, Marikanit në Tepelenë; të Kremenarit në Mallakastër, të Leskovikut e Sanjollasit në Kolonjë, të Frashërit, Qesarakës dhe Backës në Dangëlli, të Velabishtit në Berat, dhe patën plaçkitur teqetë e Melçanit dhe Kuçit në Korçë, si dhe atë të Përmetit.19) Një burim tjetër e vë numrin e përgjithshëm të teqeve të shkatërruara në 48.(20)

2.2 Në Çamëri

Fushata sistematike e masakrave, vrasjeve, djegieve e shkatërimeve ishte përqëndruar në mbarë Shqipërinë e Poshtme, por në Çamëri, përpos sa më sipër, do të ndërmerrte, ndofta për herë të parë, edhe trajtën e spastrimit etnik.

Me të vërtetë, ishte populli i Çamërisë ai që, qysh prej vitit 1913 e deri në qershor 1917 u ishte nënshtruar një terrori shtetëror të padëgjuar, aq sa deklarohej se “ajo që kishin bërë otomanët kundër kësaj popullsie për 440 vjet ishte tejkaluar gjatë 4 vjetëve të dominimit të qeverisë së Athinës.”21) Si rezultat, me mijëra banorë ishin detyruar të shpernguleshin drejt veriut, kryesisht drejt rrethinave të Vlorës.

Miss Durham jep një dëshmi të ekzistencës së të shpërngulurve nga Çamëria në Vlorë. Pas vizitës së saj në Korçë të qershorit 1913, Miss. Durham shkoi në Voskopojë, Berat e më pas në Vlorë, ku takoi “një numër refugjatësh nga Çamëria, malësorë të mrekullueshëm, të cilët deri tani kishin patur autonomi lokale në bazë të ligjeve të vjetra shqiptare [por] tani ata rrezikoheshin të aneksoheshin nga Greqia dhe na u lutën me brengë në zemër t’i shpëtonim.”22)

Ndër masakrat e ndërmarra kundër popullsisë çame ishte ajo e marsit 1913, kur të paktën 72(23) krerë të parisë çame u thirrën kinse për t’u paraqitur tek Komandanti i Qarkut në Paramithi. Njoftimi u bë fshat më fshat nga Kapiteni Dimitriades dhe nga një bandit kretas i quajtur Delijanaqi, i cili kryesonte një bandë prej rreth 200 andartësh të armatosur. Të gjithë burrat u mblodhën në Skupicë, pranë lumit Kallamas, për të vazhduar udhëtimin bashkë me andartët deri në Paramithi. Por në mes të rrugës nga Skupica për në Paramithi, ata u vranë dhe u masakruan që të gjithë me armë zjarri dhe thika. Më pas, për 4-5 muaj, bandat greke u vodhën fshatarëve të gjithë gjënë e gjallë dhe pasurinë tjetër. Në janar 1914 grekë arrestuan tre burra nga paria e Paramithisë, Fuad Prronjon, Sabit Dinon dhe Nuri Prronjon si dhe 9 kryepleq. Ata i ndanë në katër grupe dhe më pas 15 ushtarë rrahën egërsisht madje edhe duke i goditur me gurë të tre burrat e lartpërmendur. Dy prej tyre vdiqën në vend, kurse i treti u braktis pasi u pandeh si i vdekur.24)

“Vrasja me gurë e të parëve të Ajdonatit, Subi dhe Fuat Prronjos, në mes të qytetit dhe në prani të policisë greke”, denoncohet edhe në një letër të përfaqësuesve të Çamërisë drejtuar Kryetarit të Konferencës së Paqes, z. George Clemenceau më 21 mars 1919.(25)

Duhet theksuar këtu se terrori dhe eliminimi fizik i parisë së vendit përbënte një mjet tejet djallëzor dhe të përllogaritur në politikën e sundimit shtypës dhe të spastrimit etnik. I njëjti mjet ishte përdorur nga pushtuesit otomanë sidomos në masakrën e Manastirit të vitit 1834 (?), si edhe më vonë nga nazistët gjermanë dhe bashkëpuntorët e tyre vendas në holokaustin e kryer ndaj bashkësisë izraelite të Selanikut.

Të dhëna të tjera për “terrorizimin e popullsisë shqiptare” në rrethet e Janinës e Çamëri jep edhe diplomati austro-hungarez Karl Buhbinger, i cili shkruan se në vitin 1913 – 1914 “mua më vinin gjithnjë e më shumë ankime; në afërsitë e Janinës u gjetën nëpër rrugë muhamedanë të vrarë, me sy të qitur. – Këto krime mizore i bënin andartët grekë.”26) Nga ana tjetër, Miss Durham përmend se në qershor 1914 “banorët e tri fshatrave myslimane Manat, Markat dhe Konispol, që kohët e fundit ishin djegur nga grekët, kishin dërguar përfaqësues [pranë qeverisë shqiptare] për të kërkuar ndihma.”27))

Përmendet gjithashtu se gjatë zotërimit grek të Çamërisë u shkatërrua fshati Gardhiq me 300 shtëpi, Dhragomi (200), Petrovica (75), Minina (60) të kazasë së Paramithisë. Në kazanë e Filatit u shkatërruan, ndër të tjera, Ninati (120), Markati (120), Janjari (150).28)
Si përfundim, ndërhyrja ushtarake italiane në Çamëri më 1917 e gjente popullsine çame të përgjysmuar në numër, dhe në një gjendje të papërshkrueshme e të pashoqe terrori, shtypjeje kombëtare dhe rrënimi ekonomik, që ishte rrjedhojë e shfrytëzimit të shfrenuar që i ishte bërë vendit nga regjimi otoman dhe grek.

Sipas Raportit të Fazit, gjatë katër viteve të sundimit grek 1913 -1917 “shuma milionëshe janë dërguar në Athinë”, ndërkohë që “nuk ishte shpenzuar asnjë sold në punët botore dhe asnjë masë nuk ishte marrë për përmirësimin e gjendjes së mjerueshme të popullsisë fshatare”, sepse, “pasi siguroheshin pagat e funksionarëve, gjithshka që mbetej i dërgohej qeverisë qendrore.”29)

Përkundrazi, ky vend me strukturë ekonomike tejet të prapambetur i ishte nënshtruar një regjimi mbytës tatimor, që përfshinte taksa tepër të larta doganore, tatime për konsumin, të dhjeta në masën 12,5% mbi të gjitha prodhimet bujqësore, tatimet mbi tokën, vergjinë (taksa mbi gjënë e gjallë), mbi pyjet, taksa e pullës, etj, etj.30)

3. Administrimi ushtarak Italian i Çamërisë nga pikëpamja juridiko-institucionale.

3.1 Struktura ushtarake

Administrata italiane në Çamëri u ngrit dhe veproi në sferën ushtarake dhe civile. Në krye të komandës ushtarake vendore ishte koloneli Delli Ponti, komandant i trupave të pushtimit. Ai varej nga Gjeneral-Koloneli Giacinto Ferrero, Komandant i Korparmatës së XVI në Gjirokastër.
Masat e para të Komandës Ushtarake ishin ndalimi i manifestimeve publike, çarmatimi i popullsisë, vendosja e masave penale kundër vjedhësve ose dëmtuesve të mjeteve të komunikimit (telegraf – telefon), regjistrimi i gjësë së gjallë, dhe ndalimi i eksportimit të saj.
Vendimi për ndalimin e manifestimeve, për regjistrimin e detyrueshëm të gjësë së gjallë, për ndalimin e eksportimit të saj, për ruajtjen e linjave telegrafike e telefonike u lëshuan nga Komanda vendore ushtarake.31) Kurse vendimi për çarmatimin dhe për masat që do të merreshin pas kryerjes së çarmatimit u lëshua me një urdhër të vetë Gjeneralit Ferrero. Ky i fundit mbështetej në Nenin XXV të Kodit Penal të Ushtrisë Italiane dhe parashikonte masat më të rrrepta të dënimit, deri në pushkatimin në vend të kujtdo që do të kapej me armë jashtë banesës pas përfundimit të fushatës së çarmatimit, që duhej të mbyllej deri në fund të qershorit 1917.

3.2 Struktura civile administrative dhe veprimtaria ligjvënëse

Komanda italiane, me të mbaruar detyrat më urgjente, emëroi një Komisar të Përgjithshëm për Çështjet Civile, i cili do të ishte nëpunësi më i lartë civil në zonën e pushtuar në jug të kufirit të vitit 1913. Në këtë detyrë u emërua ish-deputeti i Parlamentit Italian, Francesco Fazi, që mbante gradën e kapitenit.

Veprimtarinë e vet në fushën administrative, Komisari Fazi e filloi me ndarjen e Çamërisë në 7 rrethe: Janinë, Meçovë, Paramithi, Margëlliç, Filat, Konicë, dhe Delvinaq. Rrethi i Janinës ishte në varësi të drejtpërdrejtë të Komisarit të Përgjithshëm, kurse në krye të rretheve të tjera ishin emëruar zyrtarë me pushtet të deleguar prej Komandës së Përgjithshme.32)

Një risi që u soll në lëmin e administrates civile të Çamërisë nga ana administratës italiane ishte ngritja e këshillave ad latere si organe këshillimore ndihmëse. Ato përbëheshin nga paria vendase dhe nga krerët fetarë.

Kështu, në Protokollin Nr. 9, dt. 20 qershor 1917, Komisari Fazi i paraqiti Komandës propozimin – e miratuar më vonë – për ngritjen e Komisionit Këshillimor pranë Komisarit të Përgjithshëm për të mbarështruar shërbimet administrative në qytetin e Janinës dhe territorin përreth.33) Thithja e mendimeve të parisë së vendit bëhej jo vetëm për arsye politike, por edhe për faktin se, sikurse u përmend më lart, zyrtarët e mëparshëm vendorë kishin marrë me vete në Athinë të gjitha dokumentet e administrates vendase.

Në përbërje të Komisionit Këshillimor të Janinës, të kryesuar nga Francesco Fazi, Komisar i Përgjithshëm i Çështjeve Civile, u caktuan: Av. Demetrio De Santo, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Komisariatit të Përgjithshëm dhe Përkthyes i Këshillit; Metropoliti Ortodoks i Janinës Peshkop Spiridon Vlachos; Myftiu i Janinës Fuat Efendi; Rabini i Janinës Haim Ezrà; Kryetari i Bashkisë së Janinës (ose Përgjegjësi i degës juridike në Bashki) Jorgo Gani; Kryetari ose një anëtar i Dhomës së Tregtisë Nikolas Kazangis (nën/Kryetar); Jahja Bej, pjestar i parisë myslimane; një pjesëtar i parisë izraelite; dhe një pjesëtar i parisë kristiane.34)

Komisari Fazi emëroi edhe një Këshill Juridik, i cili “do të shqyrtonte anën juridike të çështjeve të ndryshme që do t’i paraqiteshin administratës,” me kryetar Avokat Kavalier Demetrio De Santo, dhe anëtarë Av. Arturo Coen, Av. Joam D. Karisiades e Av. Spiridon Surlas.35) Duke qenë se popullsia shqiptare ishte lënë në errësirë të plotë nga pikëpamja arsimore, kuptohet se në përbërje të Këshillit Juridik nuk merrte pjesë ndonjë përfaqësues çam i besimit mysliman.
Nuk ka të dhëna të botuara për përbërjen e Komisioneve Këshillimore të rretheve të tjera përveç Janinës. Megjithatë, mund të deduktohet se në ato rrethe të Çamërisë me shumicë dërrmuese shqiptare, Komisionet Këshillimore përbëheshin nga përfaqësues të parisë vendase. Rrjedhimisht, mund të thuhet se ata do të kenë ushtruar një farë ndikimi ndaj administrative civile të rretheve për marrjen e masave në të mirë të popullsisë çame. Nga përmbajtja e një Direktive të mëvonshme me efekte centralizuese, ku kërkohej që ushtrimi i veprimtarisë së rretheve të ishte në përputhje me parimet e përgjithshme dhe Direktivat e Këshillit të Përgjithshëm, mund të mendohet se, në njëfarë mase, midis Komisionit Këshillimor të Janinës dhe atyre të rretheve mund të ketë patur kundërshtime.36)

Për objektin e këtij studimi një rëndësi të veçantë paraqet Qarkorja Nr. 1072, e 1 shtatorit 1917, Për Zgjedhjen e Kryepleqve dhe Kryetarëve të Komunave të Fshatrave, drejtuar Komisarëve të rretheve. Në të përcaktohet se legjislacioni grek, i shtrirë në Greqinë e Re, nuk ka bërë të mundur organizimin komunal njëlloj si në Greqinë e Vjetër. Rrjedhimisht, Çamëria, sipas këtij dokumenti zyrtar, konsiderohej si “e paorganizuar”, duke lënë në fuqi sistemin otoman të myftarëve dhe azazëve (Kryepleqtë dhe Këshilltarët). Qarkorja e mësipërme përcaktonte rregullat e zgjedhjes dhe të miratimit të kryeplakut dhe këshilltarëve, ku një rol të rëndësishëm luante prefektura si organ që kryente miratimin përfundimtar të kandidaturave.37)

Ky dokument i administratës civile italiane paraqet interes në dy drejtime kryesore:

Së pari, njëjtësimi i procedurës së zgjedhjeve në bazë të sistemit të vjetër otoman dhe që kërkonte miratimin përfundimtar të Prefekturave sugjeronte se, gjatë periudhës fillestare të administrimit Italian në zonën e Çamërisë dhe në kushtet e ekzistencës së njëfarë vakuumi juridik, do të kenë qenë zbatuar nga popullsia çame normat e së drejtës zakonore çame që rregullonin vetëqeverisjen vendore. Përsëri, kjo mund të ketë shkaktuar reagimin e elementëve pro-grekë, gjë që mund të ketë detyruar administratën italiane të Janinës të nxjerrë Qarkoren në fjalë e cila vinte në zbatim regjimin e vjetër.

Së dyti, qarkorja përcaktonte se modularët që do të përdoreshin me këtë rast do të përgatiteshin “në dy gjuhë, pra në italisht dhe në gjuhën vendase.”38) Fakti që Qarkorja nuk përmend gjuhën greke si palë të gjuhës italiane nënkupton se administrata italiane njihte formalisht dhe de facto përdorimin e gjuhëve të tjera vendase jo-greke në zonën në jug të kufirit të Londrës të vitit 1913. Më konkretisht, mund të deduktohet se në rrethin e Meçovës, me shumicë arumune, gjuhë “vendase” do të ishte ajo vllahe, kurse në Çamëri, kjo Qarkore me siguri i hapte rrugë përdorimit të gjuhës shqipe, pavarësisht nga errësira arsimore në të cilën ishin mbajtur detyrimisht çamët nga ana e autoriteteve otomane dhe greke.

Përdorimi i gjuhës vendase mbështetet edhe nga analiza e veprimtarisë së administratës italiane në lëmin e arsimit. Muaji shtator 1917 përbënte edhe afrimin e fillimit të vitit shkollor në zonën e administruar nga italianët dhe administrata ushtarake italiane, megjithë karakterin kalimtar të saj, vendosi të merrej edhe me këtë problem.

Duhet theksuar se gjatë periudhës së pushtimit otoman në mbarë Shqipërinë e Poshtme nuk ishin lejuar shkollat shqipe, por vetëm ato në gjuhën greke. Kjo errësirë e pashembullt arsimore kishte dëmtuar mjaft gjendjen shoqërore ekonomike të Çamërisë. Nga ana tjetër, futja e detyruar e arsimit në gjuhën greke dhe lehtësirat e mëdha që ishin krijuar këtij të fundit nga administrata osmane e Patrikana ishin përdorur si argument para fuqive të mëdha për të treguar karakterin helenik të mbarë Shqipërisë së Poshtme.

Politika arsimore që synonte të ndiqte administrata italiane del qartë në Qarkoren Nr. 1058, datë 30 gusht 1917. Me anë të saj, Komisari i Përgjithshëm Francesco Fazi urdhëroi fillimin përgatitjeve për vitin e ri shkollor nëpër shkollat fillore dhe të nivelit pas-fillor. Ai deklaroi se Administrata italiane në politikën e vet arsimore do të udhëhiqej nga parimi i “mbrojtjes së të drejtave të pamohueshme gjuhësore, kulturore, fetare, qoftë të popujve të vegjël, qoftë të popujve të mëdhenj”, sidomos për sa u takon “të drejtave të grupeve të vogla etnike që, të vetëm, nuk do të kishin fuqinë dhe mjetet për të pohuar individualitetin e tyre.”39)

Në qarkore jepeshin udhëzime në bazë të gjendjes reale etnike të vendit. Më konkretisht, për zonat me popullsi kompakte, Qarkorja udhëzonte që “rregulloret e shkollave të tregojnë respektin më të madh për ndjenjat e kombësive të veçanta që formojnë tërësinë e popullsive të këtyre trojeve, dhe pra, të pranohen pa kufizime kërkesat e komunave, fshatrave dhe të njësive të tjera të popullsisë që kërkojnë kryerjen e mësimit në gjuhën që ato flasin.”40)

Për rajonet e përziera, Fazi udhëzonte që “nuk duhen sakrifikuar pakicat që dëshirojnë të arsimohen në gjuhën e tyre, me kusht që këto të përfaqësojnë një entitet që të jetë në gjendje të ushqejë hapjen e të paktën një shkolle të përzier”.41)

Regjimi paraprak i shkollave arumune në Pind, i garantuar nga Traktati i Bukureshtit, nuk do të lëvizej.

Edhe pse këto masa me karakter arsimor të administratës italiane nuk u zbatuan për shkaqe objektive, ato kanë rëndësi të madhe sepse për herë të parë ngjallën shpresa konkrete në popullsinë e Çamërisë për mundësinë e arsimimit në gjuhën amtare. Nuk ka dyshim se këto masa, po të lidhen edhe me politikën arsimore italiane në Gjirokastër, Sarandë dhe Bregdet, u panë me shqetësim të madh nga Athina, e cila nuk mund të pranonte që prania ushtarake italiane në Shqipërinë e Poshtme “të zëvendësonte pushtetin grek, të mbyllte shkollat greke, dhe në vend të flamurit grek të ngrinte atë italian.”42)

3.2.2 Veprimtaria në drejtësi dhe në fusha të tjera

Në fushën e drejtësisë, në krye duhet përmendur se administrata italiane nuk ndërhyri për ngritjen e një sistemi të ri gjyqësor. Kjo u arsyetua me faktin se periudha e pranisë ushtarake italiane përkoi me ndërprerjen e zakonshme verore të veprimtarisë së gjykatave në vend, si dhe me një moratorium (ndërprerje të përgjithshme) të veprimtarisë gjyqësore në mbarë Greqinë. Edhe përpjekjet që filluan për vendosjen dhe institucionalizimin e Gjykatave të Paqit nuk u përfunduan për arsye të vendimit të marrë në Konferencën e Parisit për largimin e trupave italiane nga Çamëria. Megjithatë, policia ushtarake italiane ushtroi gjerësisht ndërmjetësimin dhe pajtimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, gjë që bëri që të mos ndihej shumë mungesa e Gjyqtarëve të Paqit.43)

Dokument themelor për ringritjen e Shërbimit të Noterisë është Letra Nr. 185 e 10 korrikut 1917 drejtuar Komandës së Nënzonës së Janinës. Në të Komisari Fazi bën një përshkrim të gjendjes së atëhershme të shërbimit të noterisë, duke përmendur se veprimet e noterisë ishin mjaft të thjeshta (regjistrohej vetëm titulli i aktit dhe data), dhe se ato kryheshin prej vetëm tri noterëve, më konkretisht prej Z. Joan Fili, Anastas Alief, dhe Dhimitër Laska. Më tej Fazi udhëzonte se, duke patur parasysh nevojat e mëdha dhe të ngutshme të popullsisë për regjistrimin e kontratave dhe transaksioneve të tjera tregtare, veprimtaria e noterisë të vazhdonte të kryhej sipas kushteve të përparshme dhe po nga të njëjtit njerëz. Në letër jepeshin edhe udhëzimet për regjistrimin dhe pagesën e taksës së pullës.44)

Vendime u morën edhe në drejtim të vendosjes së shërbimit për rojet fushore,45) për gjuetinë,46) për kursin e këmbimit,47) për pyjet,48) për kripën,49) për prodhimin dhe tregtinë e pijeve alkoolike,50)) etj.

Vendosja e rojeve fushore në Çamëri u diktua si domosdoshmëri nga fakti se periudha e stinës së verës përkonte me korrjen e drithërave dhe të vjelat. Si rrjedhim, siguria e bujqve dhe blegtorëve merrte rëndësi të veçantë, duke patur parasysh nga ana tjetër edhe cënimet e rënda që u ishin bërë rendit dhe qetësisë në të kaluarën nga bandat e ndryshme të parregullta greke. Letrat dhe Qarkoret e lëshuara nga administrata italiane u mbështetën kryesisht në ligjin përkatës grek të vitit 1907 me disa ndryshime që lidheshin me rrethanat e reja të krijuara dhe që kishin të bënin me rolin e Karabinierisë italiane në lëshimin e autorizimeve për marrjen e armës së gjahut që do të përdorej prej rojeve si dhe në bashkëpunimin midis tyre dhe Karabinierisë për rastet kur ky bashkëpunim do të kërkohej 51)

Administrata e Fazit mundi të vërë në funksionim me sukses edhe Zyrën e Intendencës së Financës, Arkën e provincës, Fabrikën e Duhanit në Janinë dhe Paramithi, Shërbimin për taksën e pullës e regjistrin, Zyrën Teknike, si dhe u morën masa për ngritjen e Zyrës së Kadastrës dhe Hipotekës.52)Rëndësi të madhe pati edhe ngritja e shërbimit shëndetësor, hapja e ambulancave në Janinë dhe Konicë, dhënia e shërbimit mjekësor falas nga mjekët ushtarakë në të gjitha rrethet, marrja e masave kundër sëmundjeve veneriane dhe tifos, etj.53) Shërbimi i post-telegrafës u organizua me personel civil italian dhe vendas. Zyra postare u hapën në të gjitha rrethet. Aty ku nuk u gjend personel civil italian ose vendas u punua me personel ushtarak54).
Në fushën e rendit, u organizua fillimisht policia, u goditën krimet në periudhën fillestare dhe bandat sidomos në zonën e Pindit, u rivendos qetësia, u luftua kontrabanda dhe u meremetuan e përmirësuan kushtet në burgje.55)

3.3 Burimet e së drejtës

Lidhur me burimet e së drejtës, në përgjithësi, administrata italiane u mbështet në punën e vet në Çamëri kryesisht tek legjislacioni grek, por u përdor edhe legjislacioni italian, otoman, si dhe veproi edhe e drejta e pashkruar çame. Kjo bëhej për arsye të ndryshme politike dhe pragmatike. Duke patur parasysh se karakteri i përkohshëm i administrimit italian të Çamërisë u bë i qartë mjaft shpejt, ndofta nuk kishte kuptim një ndryshim rrënjësor i legjislacionit në atë zonë. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk kishte filluar ende rrugën e vet të sigurtë si shtet i pavarur, dhe pra nuk kishte ligje të tilla që mund të huazoheshin ose përshtateshin në punën për administrimin e Çamërisë. Gjithashtu, këshilltarët kryesore juridikë të Komisarit të Përgjithshëm civil Fazi, në pjesën më të madhe duket se ishin me prejardhje etnike greke, dhe thuajse të gjithë duhet të ishin me formim juridik grek, gjë që e detyronte detyronte për arsye praktike Fazin të mbështetej më shumë në legjislacionin grek.

Legjislacioni italian u vu në përdorim, për shembull, me Dekretin e gushtit 1917, ku Gjenerali G. Ferrero shpallte se ligji penal i zbatuar në Janinë e Çamëri do të ishte Kodi Penal Ushtarak italian dhe Kodi Penal i rregullt për ato raste që nuk parashikoheshin në të parin. Të gjitha aktet që përbënin krime, dhe kryheshin nga civilë, do të ishin kompetencë e Gjykatës Ushtarake ose e Gjykatave të Jashtëzakonshme.56)

Sikurse u përmend më sipër, si burim i së drejtës shërbeu edhe legjislacioni otoman, sidomos lidhur me Qarkoren Nr. 1072, për rregullat e zgjedhjes së kryepleqve të fshatrave dhe anëtarëve të pleqësive.

Ekzistenca dhe veprimi i së drejtës së pashkruar çame në Çamëri në periudha të ndryshme kohore përmendet dhe pranohet nga autorë dhe burime të ndryshme, madje dhe të kundërta. Një përshkrim dhe trajtim i hollësishëm i saj është jashtë objektit të këtij shkrimi, edhe pse rëndësia e veçantë e së drejtës së pashkruar çame përbëjnë për autorin një angazhim për gjurmime të mëtejshme me synim trajtimin e kësaj teme në një të ardhme të afërt. Për objektin e temës sonë përmendim se vetë Komanda Ushtarake italiane u angazhua solemnisht për “respektimin absolut të dokeve tuaja” në Proklamatën e datës 20 qershor 1917 drejtuar qytetarëve të Janinës nga Gjenerali Ferrero. Objekti i kësaj proklamate sigurisht nuk kufizohej vetëm për “qytetarët e Janinës”, jo vetëm sepse terreni i veprimit të forcave italiane shtrihej në një sipërfaqe prej 10,000 kilometrash katrore dhe mbulonte një popullsi prej rreth 200,000 banorë, por edhe sepse në proklamatë kishte madje referenca të qarta për mbarë “krahinën” dhe “popullsinë” e saj.57)

3.4 Aktet juridike të zbatuara nga administrata italiane

Aktet juridike të administratës italiane në Çamëri nga përmbajtja ndaheshin në akte organike (d.m.th. me karakter të përgjithshëm) dhe jo-organike (contingente), domethënë me karakter të veçantë. Kështu, për shembull, dekreti për kripën ishte akt me karakter të veçantë, pra jo-organik sepse rregullonte marrëdhëniet juridike-civile në këtë fushë të veçantë, por gjithsesi të rëndësishme të ekonomisë që varej nga veprimtaria e kripores e vetme të Sajadhës.

Nga pikëpamja e formës, aktet ndaheshin në Dekrete, Qarkore dhe Njoftime. Dekretet nxirreshin nga Komanda Ushtarake Italiane e Gjirokastrës ose nga Komisioni Civil i Janinës dhe kishin karakter vendimor – urdhërues. Qarkoret, e nxjerra kryesisht nga Komisioni Civil, kishin më shumë përmbajtje sqaruese. Njoftimet u përdorën kryesisht për përcaktimin e kursit të këmbimit të lirës italiane me dhrahminë greke.

Ndër aktet zyrtare përfshiheshin edhe korrespondencat brenda përbrenda administratës, për shembull, midis qendrës dhe rretheve. Këto ishin në trajtë Letrash dhe kishin kryesisht karakter udhëzues e sqarues.

4. Konsiderata të tjera

Hyrja dhe administrimi italian i Janinës dhe Çamërisë, edhe pse i shkurtër, ngre disa probleme të tjera jashtë karakterit të objektit të historisë së shtetit dhe së drejtës në trojet e banuara nga shqiptarët, të cilat do të rrekemi t’i cekim shkurtimisht.

Së pari, vihet pyetje se pse ndërhyri Italia në Shqipërinë e Poshtme në vitin 1917, sidomos po të kemi parasysh se kjo ishte krejtësisht në kundërshtim me vijën politike të diplomacisë së San Gennaro-s, i cili propozoi ndarjen e Shqipërisë me Traktatin famëkeq të Londrës të vitit 1915. Gjithashtu, përse Italia u tërhoq shpejt nga Janina dhe Çamëria, dhe pse ende mbajti nën zotërim një trekëndësh territori në jug të kufirit të vitit 1913? Përse qëndrimi italian u luhat përsëri më vonë me marrëveshjen famëkeqe Titoni-Venizellos të vitit 1919, etj.

Lidhur me sa më sipër mund të behën këto vëzhgime:

Së pari, mund të thuhet se politika e jashtme italiane ndaj Shqipërisë ndryshoi rrënjësisht me zëvendësimin e San Giulianno-s nga Baroni Sonnino. Sonnino bëri çmos që dispozitat e Traktatit të Londrës të anulloheshin ose pezulloheshin. Ka të ngjarë që kjo të jetë bërë më shumë për shkak të vizionit që kishte Sonnino për rajonin e përtej Adriatikut, se sa për synime morale, drejtësie, humanitare apo qytetëruese. Me të vërtetë, Sonnino parashihte një prani tejet të rëndësishme italiane në të ardhmen, e cila tejkalonte në mënyrë thelbësore parashikimet e Traktatit të Londrës për një prani italiane vetëm në Vlorë dhe rrethin e saj, dhe për një Shqipëri të copëtuar midis fqinjëve. Pra, mund të thuhet se Sonnino shihte se një Shqipëri me të paktën shtrirjen e kufinjve të 1913 i përshtatej më shumë interesave strategjike të Italisë, sesa Shqipëria e parashikuar në Traktatin e Londrës të vitit 1915.

Së dyti, vendimi italian për t’u konsoliduar ushtarakisht në Shqipërinë e Jugut dhe për të hyrë në Janinë e Çamëri ishte më shumë si rezultat i presionit nga poshtë. Komanda vendore italiane në Shqipëri kishte vënë re se popullsia vendase në Korçë kishte pranuar me entuziazëm shpalljen e autonomisë së Korçës nën mbrojtjen e trupave franceze. Të njëjtat ndjenja vëreheshin edhe në trojet shqiptare nën administrimin austro-hungarez. Për arsye kryesisht pragmatike, por edhe të lidhura me politikën e saj afatgjatë në Ballkan, Italia nuk mund të toleronte që të ngelej prapa Francës dhe Austro-Hungarisë në afirmimin dhe mbështetjen e dëshirave të shqiptarëve për pavarësi. Kjo solli në Proklamatën e famshme të 3 qershorit 1917 të Gjirokastrës nga ana e Gjeneralit Ferrero, ku fakti që kjo Proklamatë përkoi edhe me ndërhyrjen ushtarake në Janinë e Çamëri tregon në vetvete se Italia shihte me këtë ndërhyrje përtej interesave të nevojës thjesht ushtarake të krijuara nga paqëndrueshmëria politike ushtarake në Greqi. Pra, shtytja e brendshme nga populli, si dhe konjukturat që mund të krijoheshin me mbarimin e luftës, mund të sillnin një përmbysje të vendimeve të Traktatit të Londrës që mund të siguronin një rol parësor të Italisë në një Shqipëri, shtrirja territoriale e së cilës, sidomos në jug, do t’u afrohej më shumë kërkesave të ligjshme të shqiptarëve. Dhe për këtë, Italia duhet të ishte e përgatitur.

Së treti, ndryshimet themelore në skenën politike greke pas kthimit në fuqi të Venizellosit dhe largimit të mbretit Kostandin përmbysën gjendjen politike-ushtarake në rajon. Rradhitja e Greqisë përkrah Antantës nuk e justifikonte më qëndrimin e mëtejshëm të Italisë në Çamëri, madje krijoi premisa për lëshime të tjera territoriale në favor të pretendimeve të Greqisë si shpërblim të renditjes së saj me Antantën. Në traktativat e zhvilluara në Paris në verën e vitit 1917, Italisë iu bë presion për të zbrazur Janinën dhe Çamërinë, gjë që ajo e bëri në fund të shtatorit të atij viti.58) Shkurt, trojet shqiptare përsëri u përdorën si monedhë këmbimi në pazaret e diplomacisë botërore.

Së katërti, sikurse del nga disa burime, ushtria italiane përsëri mbajti nën kontroll për njëfarë kohe një rrip territori në jug të kufirit të vitit 1913. Me të vërtetë, trupat italiane vazhdonin të kontrollonin rrugën nga ura e Arinishtës në vazhdim tek Hani i Kalibaqit dhe deri në kufirin shqiptar pranë Peratit deri të paktën në nëntor 1918.59) Kjo masë u mor për të siguruar dhe kontrolluar një rrugë më të mirë që lidhte portin e Sarandës me qytetin e Korçës dhe që e shkurtonte rreth dy orë rrugën Sarandë-Gjirokastër-Këlcyrë-Përmet-Leskovik-Ersekë-Korçë. Duket se Italia ishte mjaft e shqetësuar nga mundësia që trupat franceze pas largimit të tyre do t’ia dorëzonin Korçën trupave greke venizelliste. Italia kërkonte kështu që të ruante një korridor të sigurtë strategjik prej nga ajo të mund të lëvizte me shpejtësi forca ushtarake nga Saranda në drejtim të Korçës për të siguruar qytetin nga hyrja e mundshme e trupave greke atje.60)

Së pesti, qëndrimi i shkurtër i ushtrisë italiane në Çamëri është përdorur në mënyra të ndryshme nga udhëheqës dhe politikanë të mëvonshëm shqiptarë në përputhje me interesat e tyre. Kështu për shembull, Shoqata “Vatra”, me anë të një deklarate të 15 marsit të vitit 1918 të nënshkruar nga Sekretari i saj Loni Kristo, kundërshton idetë për një protektorat italian mbi Shqipërinë duke përmendur edhe faktin se “Italia i ktheu Venizellos, mbas Konferencës së Parisit të korrikut të vitit 1917 krahinën shqiptare të Çamërisë”.61) Nga ana tjetër, intelektualë çamë e kanë përdorur periudhën edhe pse të shkurtër të administrimit italian të Çamërisë në favor të tezës së tyre që Çamëria duhet të ketë një trajtim të veçantë ndërkombëtar, sepse ajo nuk ishte tokë greke. Kjo lidhet edhe me kërkesën e artikuluar nga përfaqësuesit e Çamërisë në mesazhin drejtuar Z. G. Clemenceau për vendosjen e Çamërisë nën një mandat të përkohshëm amerikan që do të siguronte mbrojtjen e popullsisë dhe ruajtjen e rendit, dhe pas një ose dy vjetësh, do të administronte një referendum që do të përcaktonte statusin përfundimtar të territorit.62)
Së fundi, është për t’u theksuar se largimi i trupave italiane nga Janina, Meçova dhe Çamëria u prit me shqetësim të madh nga opinioni publik, sidomos nga popullsisë shqiptare, vllahe, dhe komunitetit izraelit. Përgatitjet për tërheqjen e ushtrisë italiane filluan në fillim të shtatorit 1917.(63) Lajmi i karakterit të përkohshëm të misionit, dhe më pas i largimit të tyre solli një “tronditje të vërtetë” në mbarë popullsinë e zonës italiane e sidomos në Çamëri dhe Pind.

Kështu, në Çamëri filluan të nënshkruhen lutje, të dërgohen përfaqësi dhe telegrame, të kryhen demonstrata me flamurin italian, duke kërkuar vazhdimin e pranisë italiane në vend. Në fshatrat arumune të mbarë Pindit kërkohej madje aneksimi apo bashkimi me “Atdheun e lashtë.”64) Një fonogram i dërguar nga Filati më 27 korrik 1917 dëshmon se “e gjithë popullsia e Filatit, pa dallim, ka demonstruar sot pasdite në mënyrë të improvizuar nëpër rrugët e fshatitduke i kërkuar qeverisë italiane qëndrimin e përhershëm në këto troje”65) Më 28 korrik 1917 një përfaqësi e parisë nga Paramithia, Karbunari, Koska, Kalbaqi, Varfanji, Margëlliçi dhe Nista takoi Komisarin e Përgjithshëm.

Në emër të përfaqësisë së bashkësisë izraelite të Janinës, Kreu i Komunitetit, Rabini Ezra Eliezer, iu lut Komisarit Fazi më 27 korrik 1917 që “pushtimi italian të vazhdojë, sepse ai siguron mirëqënien dhe progresin [e tyre] në rrugën e qytetërimit.”67)

Një ditë më parë përfaqësia myslimane e Janinës i shprehu Komisarit Fazi se “sot kur ata kanë mësuar se në Konferencën e Parisit do të diskutohet për fatin e këtij vendi, Italia duhet të ketë parasysh se Zoti dëshiroi të besojë në duart e saj jetën dhe fatin e [popullsisë] myslimane, të cilat do të kompromentoheshin seriozisht po qe se gjendja do të ndryshonte.”68)

Përfundime

100 ditët e administrimit ushtarako-civil të Çamërisë nga ushtria italiane ishin si një rreze dielli dhe shprese pas një shtrëngate të rreptë dhe të gjatë për popullin e Meçovës, Janinës dhe Çamërisë. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër ushtria italiane u garantoi rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, kurse administrata civile punoi me ngulm për të ngritur dhe forcuar shërbimet themelore administrative, gjyqësore dhe shoqërore për popullatën.

Pushteti vendor u strukturua sipas ndarjes administrative me 7 rrethe, ku në rrethin e Janinës funksiononte Komisioni Përgjithshëm Civil, me në krye Komisarin Francesco Fazi. Pranë Komisioneve në qendër dhe rrethe u ngritën edhe organe të posaçme këshillimore me pjesëmarrjen e parisë vendase. Organet civile në fshatra u organizuan sipas legjislacionit të përparshëm otoman.

Administrata italiane njohu përdorimin e gjuhëve “vendase” në veprimtarinë e organeve të pushtetit vendor si dhe në arsim. Kjo masë, edhe pse me karakter të përkohshëm, pati rëndësi të madhe, sepse pengoi deri diku politikën shkombëtarizuese të administratës greke ndaj popullit çam dhe vllah.

Masat e marra nga administrata italiane në fushën e drejtësisë dhe rendit ishin të kufizuara dhe të përkohshme. Kjo lidhej nga një sërë faktorësh objektivë, si dhe nga jetëshkurtësia e qëndrimit italian në vend. Megjithatë, u bënë përpjekje të suksesshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kryesisht në fushën juridike-civile dhe tregtare, u ringrit në formën e vet rudimentare shërbimi i noterisë, u godit kriminaliteti dhe u përmirësuan kushtet nëpër burgje.

Burimi kryesor i së drejtës së zbatuar ishte legjislacioni grek dhe italian, por u zbatua edhe ai otoman. Ka njëkohësisht edhe fakte dhe rrethana prej nga ku mund të përfundohet se në atë periudhë në Çamëri gjeti zbatim edhe e drejta e pashkruar çame. Aktet juridike të përdorura përbëheshin kryesisht nga aktet e nxjerra prej autoriteve ushtarake dhe civile italiane.
Ndërhyrja e përkohshme italiane në Çamëri dhe proklamata e Gjirokastrës shënuan një ndryshim themelor në politikën italiane ndaj Shqipërisë, që nuk u materializua në një qëndrim kostant. Luhatjet e mëvonshme të politikës italiane vërtetojnë se ndërhyrja italiane në Shqipërinë e Poshtme u krye thjesht për interesat strategjike italiane.

Megjithë kufizimet e saj, ndërhyrja italiane arriti të sigurojë një periudhë të shkurtër qetësie dhe mëkëmbjeje për Çamërinë, kurse për rajonin e Gjirokastrës ndërhyrja italiane i dha një goditje të rëndë pretendimeve territoriale greke në Toskëri dhe Labëri.

Largimi i ushtrisë italiane shënoi fillimin e një faqeje të re të rëndë për Çamërinë, që arriti pikën e vet më të zezë me shpërnguljen e detyruar dhe të kryer “me gjak dhe me hekur”69) të një pjese të popullsisë autoktone çame nga trojet e veta stërgjyshore.

Shënime bibliografike

1)Në shkurt 1917 trupat italiane kishin hyrë në Konicë, kurse në prill 1917 ishin vendosur në Sajadhë. Leon Maccas, La Question Greco – Albanaise, (Berger-Levrault, Editeurs, Nancy-Paris-Strasburg) 1921, fq.161.

2)G. A. Colonna de Cesaro, L’Italia nella Albania Meridionale, Note e Documenti (1917-1918),(F.Campitelli Editore,Foligno) fq.80-81[de Cesaro]

3)Idem, fq.81-82.

4)Në qershor 1917, Mbreti Kostandin, me prirje të qarta në favor të forcave të Boshtit Tripalësh, u detyrua nga aleatët të abdikojë në favor të djalit të tij të dytë Aleksandër. Venizellos, i cili ishte vendosur ndërkohë në Selanik dhe që mbështeste aleatët e Antantës, u kthye në Athinë si kryeministër dhe rivendosi parlamentin e qershorit 1915, i cili sipas tij, ishte shpërbërë në kundërshtim me kushtetutën. Shih J. Campbell dhe P. Sherrad, Modern Greece, (Frederick Praeger, New York, 1964) fq.117-126.

5)Pietro Pastorelli, L’Albania nella Politica Estera Italiana, 1914-1920, Editore Jovene Napoli, 1970, fq.46-47. Shih dhe Historia e Popullit Shqiptar, V.II, nga A. Buda, K.Frashëri, S. Pollo, J. Alibali, N. Plasari, (Universiteti Shtetëror i Tiranës, Enti i Botimeve Shkollore i RSS) Rep. Prishtinë, fq.442.

6)De Cesaro, op. cit. fq.150.

7)Raport i Komisarit të Përgjithshëm për Çështje Civile Fazi i datës 30 korrik 1917, idem fq.86-87.

8)Emërtimi i lumit të Gliqerisë bëhet sipas hartës së Çamërisë, tek Fjalori Onomastik i Epirit, Fatos Mero Rrapaj, (Eurorilindja, Tiranë, 1995). De Cesaro përdor emërtimin Fanariotis, që ndoshta rrjedh ngase ai përshkon në derdhjen e poshtme të tij fushën e Frarit ose të Fanarit, ndërsa burimet e sotme kartografike përdorin termin Akeron.

9)Ibidem.

10)Th. Hippen, Contribution à l’Histoire de l’Albanie du XIII au XV siècle (1204-1444), tek Albania, Revue d’archèologie, d’ Histoire,d’Art et Sciences Appliquèes en Albanie et dans les Balkans, Annèe MCMXXXII, Nr.4, Paris, fq.35.

11)Në fund të vitit 1916 në territorin e Shqipërisë, ndodheshin ushtritë e pesë shteteve të ndryshme, dy në njërën anë të frontit, të Austro-Hungarisë dhe Bullgarisë, tre në tjetrën, të Italisë, të Francës dhe të Grqisë (kjo e fundit ishte ende asnjanjëse, por ajo mbante të pushtuar një pjesë të territorit shqiptar, krahinën e Kolonjës). Prof. Muin Çami, “Lëvizja patriotike në trevën e Korçës në vitet 1916-1920”, tek “Studime historike”, 1/1977, fq.73. Shih edhe Pastorelli, op.cit. fq.37-38.

12)Raport i Fazit i shkurtit 1919 (a), De Cesaro, fq.34. Aty jepet dhe procesverbali për masakrën e Hormovës, i mbajtur më 19 maj 1914 në Tepelenë nga oficerët hollandezë C. De Longh, Dever, F. De Groot, si dhe nga oficeri shqiptar Meleq Frashëri. Ibidem fq.35-37. Procesverbali përmend një listë prej 217 personash të vrarë në masakër, pra gati tre herë më tepër se sa jep përafërsisht Fazi në raportin e tij të vitit 1919.

13)Raport i Fazit i dhjetorit 1917, De Cesaru , op. cit. fq.196-197.

14) E. Durham, Brenga e Ballkanit, (Sh. B. N. Veqilharxhi) fq. 393-395 [Durham].

15)Durham, op.cit. fq.406-407.

16)Idem, fq.413-414

17)Idem, fq. 414-415.

18)F. W. Haasluck, M. A., M.M. Hasluck, Christianity and Islam under Sultan, (Oxford at the Clarendon Press, 1929) 539 [Hasluck]

19)Hasluck, op.cit. fq.542-549.

20)Revista “Besa” organ i Ballit Kombëtar, Kanada, viti XIX, Nr.30, shtator 1971, fq.35, që i referohet gazetës italiane “Corriere della Puglia”, 14-15 dhjetor 1914.

21)Raport i Fazi-t, 30 korrik 1917, Di Cesaru, op.cit. fq.91-92. Autori i referohet këtu një personi me autoritet dhe pozitë shumë të lartë.

22)E. Durham, op.cit. fq.98, fq.393-395 [Durham]

23)Fazi, në raportin e tij të shkurtit 1919 jep shifrën 72, ndërsa nga procesverbali i takimit të tij me parinë vendase jepet shifra 75. Shih shënimin 23. Lidhur me vendin e masakrës, Fazi e përcakton atë në afërsi të fshatit Seliani. F.Fazi, Raport i shkurtit 1919, De Cesaro, op.cit. fq.34. Skupica dhe Seliani nuk identifikohen në Fjalorin Onomastik të Epirit.

24)Procesverbali i takimit të datës 27 korrik 1917 me përfaqësuesit e Paramithisë, Karbunarit, Koskës, Kalbaqit, Varfanjit, Margëlliçit dhe Nistës; dëshmi e Masar Dinos, De Cesaro, op.cit.fq.82-84.

25)Kaliopi Naska, Dokumente për Çamërinë, 1912-1939, (Dituria, Tiranë, 1999) Dok. Nr. 22, fq.54-55.

26)Karl Buhberger, “Vjetët e mija në Shqipëri”, “Studime historike”, 4/1972, fq.151.

27)Durham, op.cit. fq.410. Fshati Manat nuk identifikohet si i tillë në Fjalorin Onomastik të Epirit, Fatos Mero Rrapaj, Eurorilindja, Tiranë, 1995.

28)Shih më sipër shënimin 23.

29)Raporti i Fazit, 30 korrik 1917, fq.92 dhe 103.

30)Idem.

31)De Cesaro, op.cit. fq.82-84.

32)Idem, fq 107.

33)Idem, fq.104-105.

34)Idem, fq.116, ku autori i referohet procesverbalit të mbledhjes së Komisariatit të Përgjithshëm për Çështjet Civile, të mbajtur në Janinë, më 4 shtator 1917. Në këtë procesverbal nuk përmendet pjesëmarrja e ndonjë përfaqësuesi të parisë izralite, kurse paria kristiane, kishte jo vetëm një, por tre përfaqësues, Kostandin Donos, Kostandin Vlachos dhe Filip Kostantinidos.

35)Dekret i Fazit i 1 gusht 1916, De Cesaro, op.cit. fq.106.

36)Qarkore nr.664. 8 gusht 1917, De Cesaro, op.cit. fq.107-110.

37)Qarkore nr.10172, 1 shtator 1917, De Cesaro, op.cit. fq.110-112.

38)Idem, fq.112.

39)Qarkore nr.1058, datë 30 gusht 1917, De Cesaro, op.cit. Fazi, fq.147.

40) Po aty.

41Po aty.

42)Memorandum i qeverisë greke drejtuar Foreign Office, 23 prill 1946, tek V. Kontis, Evgaisthites Isorropies Elladha kai Allvania ston 20 Aiona, Selanik, 1994, fq.221.

43)Procesverbal i dorëzimit të 21 shtatorit, (a), De Cesaro, op.cit. fq. 152-153. Shih dhe pjesën (1), po aty, fq.166. Ndër 81 mosmarrëveshje në fushën e pasurisë së luajtshme u zgjidhën 56; për trashëgiminë ndër 3 u zgjidhën 2; për qiratë e strehimin ndër 7 u zgjidhën 5; për tatimin e të dhjetave u zgjidhën 7 raste.

44)Shih shënimin 35 më lart.

45)Letër e Fazit, nr.797, dt.17 gusht 1917, edhe letër nr.882, dt.20 gusht 1917, De Cesaro, fq.124-129.

46)Letër nr.617, dt.6 gusht 1917, de Cesaro, op.cit. fq.130-131.

47)Njoftim (Avviso), dt.30 qershor 1917 dhe më pas, idem, fq. 132- 133.

48)Dekret, dt.8 gusht 1917, Qarkore nr.930, dt.25 gusht 1917, idem, 134-140.

49)Dekret, dt. 16 gusht 1917, Qarkore nr. 886, dt. 21 gusht 1917, idem, 141-143.

50)Dekret 15 shtator 1917, idem, 143-145.

51. Shih shënimin 36 më lart, si dhe Qarkoren nr.886, dt.21 gusht 1917 De Cesaro, op.cit. fq.124-129.

52. Procesverbal i dorëzimit i 21 shtatorit 1917 (a), De Cesaro, op.cit. fq.152.

53. Procesverbal i dorëzimit i 21 shtatorit 1917 (e), De Cesaro, op.cit. fq.154-155.

54. Procesverbal i dorëzimit i 21 shtatorit 1917 (l), De Cesaro, op.cit. fq.166-167.

55. Procesverbal i dorëzimit i 21 shtatorit 1917 (d), De Cesaro, op.cit. fq.155-157.

56. Dekret i gushtit 1917 i gjeneralit Ferrero. Neni 1 dhe neni 2. Idem, fq.145-146.

57. Proklamatë e 20 qershorit 1917 e Gjeneralit G. Ferrero, De Cesaro op.cit. fq.81-82.

58. Shih Maccas, fq.162.

59. Raport i Fazit, nëntor 1917 (a), De Cesaro, op.cit. fq.46. Kalibaqi nuk duhet ngatërruar me Galbaqin, fshat në afërsi të Filatit. Për faktin se i ashtuquajturi “trekëndësh epiriot” ndodhej nën zotërimin italian deri në nëntor 1918 dëshmohet tek Pastorelli, fq 71, ku citohen telegrame për këtë problem drejtuar Sonninos, të muajit nëntor 1918.

60. Telegram i Sonninos drejtuar Gjeneralit Piacentini, ku i kërkohej që të ruante gatishmërinë në rast se tanët do të zëvendësonin francezët, duke parandaluar kështu një “colpo di mano” të grekëve në këtë pjesë të Shqipërisë. Pastorelli, op.cit. fq.71, shënimi 17. Italia refuzoi të gjitha presionet greke për t’u tërhequr nga “trekëndëshi epiriot” me qëllim që të ruante hapur vijën e komunikimit me Korçën.

61. Deklaratë e Vatrës, në lidhje me protektoratin italian mbi Shqipërinë, Boston,MA, 15 mars 1918, tek Dokumente për Çamërinë, fq.34.

62. Përfaqësuesit nga Çamëria i drejtohen Zhorzh Klemansos, kryetar i Konferencës së Paqes në Paris, Gjenevë, 21 mars 1919, tek Dokumente për Çamërinë, fq.54.

63. Qarkore nr.1062, e 1 shtatorit 1917: “në çdo kohë pritet urdhëri për zbrazjen e një pjese pak a shumë të konsiderueshme të territoreve të zëna në jug të kufijve të caktuar në Londër për Shqipërinë e Jugut”.

64. Raport i Fazit, 30 korrik 1917 (h), De Cesaro, op.cit. fq.174.

65. Fonogram nr.146/1, dt. 27 korrik 1917 i dërguar nga nëntogeri Macinati, i dërguar i Zyrës politike Ushtarake të Janinës në Filat. De Cesaro, op.cit. fq.179.

66. De Cesaro, op.cit. fq.183-184.

67. De Cesaro, op.cit. fq.179-180.

68. De Cesaro, op.cit. fq.175.

69. Ismail Kadare, Intervistë për gazetën “Shekulli”, Tiranë, tetor 2000. Qershor – Nëntor 2000