Dr. Zamir Q. Shtylla
Ky shkrim është një paraqitje e shkurtër e rrjedhave historike dhe, në përgjithësi, një vështrim paralel i politikave antishqiptare të shpërnguljeve me dhunë në Çamëri e në Kosovë. Megjithë dallimet e natyrshme të zbatimit të shpërnguljeve, dallime që lidhen me përmasat e dëbimeve e të territoreve që ato perfshijnë, të shtrirjes së tyre në kohë dhe të pasojave në secilën trevë, qëllimet e ideimit dhe të realizimit nga qeveritë greke e serbe të dëbimeve masive të shqiptarëve nga Çamëria e Kosova kanë qenë të njëjta.
1. Platformat e shpërnguljeve: “Megali Idea” dhe “Nacertanja”.
Janë dy platforma bazë të politikës nacionaliste shtetërore, njëra greke dhe tjetra serbe, të një viti, 1844.
Me mbështetjen e hapur të Rusisë, Serbia nisi e para zbatimin e Nacertanjes. Me 1877-1878 ushtria serbe pushtoi Prokuplën (rajoni i ish Sanxhakut të Nishit) dhe masakroi e shpërnguli prej andej dhjetëra mijë shqiptarë. (Historianë serbë pohojnë për 30.000 veta, ndërsa burimet britanike e osmane informojnë për 90.000-100.000 dhe 300.000 të dëbuar). Kjo ishte vala e parë e madhe e dëbimit të shqiptarëve nga tokat e shtëpitë e tyre. Politika serbe e shpërnguljes me dhunë vazhdoi më pas gjatë gjithë shek. XX, duke qenë po aq agresive si në fillim dhe pothuajse gjithëpërfshirëse.
Zbatimi i “Megali Idesë” në drejtim të trevave me popullsi shqiptare filloi të realizohej në gjysmën e parë të shek. XX. Më 1912 Greqia pushtoi krahina me popullsi shqiptare, përfshirë Çamërinë, dhe i shpërnguli me dhunë shqiptarët e besimit mysliman në dy kohë. Një pjesë gjatë dhe menjëherë pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës (1923) dhe pjesën tjetër në vitet 1944-1945. Mund të pohohet se, politika serbe e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova nuk mundi të sendërtonte synimet e saj, megjithë kohëzgjatjen prej afro një shekull e gjysëm dhe hartimin e përpunimin e disa varianteve nga mbretërorët dhe komunistët.
Përkundrazi dhe për fat të keq zbatimi i “Megali Idesë” në Çamëri sot quhet punë e kryer.
2. Përmasat e shpërnguljeve.
Në fund të shek. XX. janë bërë të njohura për publikun të dhëna zyrtare vetëm për etapën e fundit të dëbimeve masive nga Kosova, që është njëkohësisht shpërngulja numerikisht më e madhe me dhunë e shqiptarëve. Regjistrimet, që janë kryer në vendet ku kanë mbërritur të dëbuarit, kanë qenë të orientuara nga organizma ndërkombëtare, kryesisht të OKB-së.
Ato janë bërë në Shqipëri e në Maqedoni në kuadër të procesit të ndërrmarë nga Komuniteti Ndërkombëtar për ndihmën ndaj të shpërngulurve dhe rikthimin e mundshëm të tyre. Deri në fillimin e majit 1999 numri i shqiptarëve të dëbuar arriti në 730.000, prej të cilëve 605.000 ishin strehuar përkohësisht në shtetin shqiptar, në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa 125.000 në vende të ndryshme (Gjermani, Zvicër, Itali, Britani të Madhe, SHBA, etj).
Të gjitha etapat pararendëse të shpërnguljeve me dhunë të shqiptarëve nga Çamëria dhe Kosova kanë qenë të pasqyruara përafërsisht ose mangësisht, njëanshmërisht ose pasaktësisht dhe, në rastin më të keq, janë injoruar plotësisht. Informacionet e rezervuara të administratave greke apo serbe (jugosllave) kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të panjohura, ose pak të njohura për opinion të gjerë. Edhe në ndonjë rast kur një pjesë prej tyre është publikuar, kjo ka qenë kushtëzuar nga faktorë që synonin më shumë bllokimin sesa njohjen e problemit. Ndërkaq, kanë qenë të pjesshme, ose kanë munguar tërësisht të dhënat informuese edhe nga vendet ku kanë mbërritur të shpërngulurit me dhunë. Kjo është arsyeja që shifrat e paraqitura në vijim janë të përafërta:
2.1. Shifrat e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga Çamëria mund të jenë afërsisht të njëjta në të dy periudhat, ndërkohë që një fiksim më i besueshëm i tyre është ai i pas Luftës së Dytë Botërore.
2.2. Shifra të shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga Kosova janë pasqyruar në botime shkencore dhe në paraqitje publike duke filluar qysh nga gjysma e parë e shek.XX. Gjithsesi, të dhëna më të plota janë ato të pas viteve 70-të. Sipas këtyre informacioneve numri i të shpërngulurve prej vitit 1913 deri në vitin 1941, arrin deri në 250.000 vetë. Periudha e pas Luftës së Dytë Botërore përfshin dy etapa. Gjatë viteve 1950-1966 të dhënat bëjnë të ditur shifra të shpërngulurish shqiptarë që lëvizin nga 280.000 deri në 400.000 vetë. Kjo është njëra etapë dhe ka zgjatur më shumë se një dhjetëvjeçar e gjysëm. Tjetra u përjetua më 1999, kur, vetëm në disa ditë e javë dhunë të paparë në fillim të pranverës, mbi 730.000 kosovarë u dëbuan nga shtëpitë e tokat e tyre, kryesisht drejt kufirit të shtetit shqiptar dhe atij maqedonas.
3. Hapësira e vendosjes se shqiptarëve të shpërngulur.
Kanë qenë disa rajone, territore e shtete ku janë vendosur shqiptarët e shpërngulur nga Çamëria e Kosova. Megjithatë drejtimet kryesore ishin dy:
Turqia e vende të botës arabe dhe Shqipëria.
3.1. Duke përdorur si preteks përkatësinë fetare myslimane të shqiptarëve të shpërngulur, dëbuesit e orientuan largimin e tyre drejt vendeve të këtij religjioni e posaçërisht drejt Turqisë. Natyrisht kjo nuk mund të realizohej nëse do të mungonte miratimi i autoriteteve të vendit pritës dhe faktet dëshmojnë se miratimi është dhënë. Por arsyet e para dhe më kryesore të orientimit të shpërnguljes së shqiptarëve nga Çamëria e Kosova drejt Turqisë lidheshin me shpresën e dëbuesve për asimilimin e shpejtë të shqiptarëve në këtë vend, gjithashtu edhe me garancinë apo besimin se rikthimi i tyre në vendlindje bëhej i pamundur. Greqia dhe Serbia (Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene), ashtu si Turqia, ishin nenshkruese të Traktatit të Lozanës të vitit 1923, të cilin, natyrisht jo në të njëjtën mënyrë e masë, e përdorën si mbështetje legale të dëbimit të shqiptarëve nga Çamëria e Kosova. Nuk ishte shumë e vështirë për autoritetet qeveritare greke përfshirja e një numri prej rreth 20.000 shqiptarësh çamë në masën e 400.000 myslimanëve që do të largoheshin për në Turqi në shkëmbim të afro 1.300.000 grekëve që vinin prej andej. Për autoritetet e Beogradit shifrat e shqiptarëve që mund të dëboheshin nga Kosova me anë të traktateve, si ai i Lozanës (serbët nuk ishin parësorë në këtë nënshkrim) ishin të ulëta. Ato bënë përpjekje dhe negociata me Ankaranë derisa arritën të nënshkruajnë në korrik 1938 një marrëveshje dypalëshe që i hapte rrugën dëbimit të rreth 400.000 shqiptarëve nga Kosova për në Turqi në një periudhë 6-9 vjeçare. Kjo marrëveshje nuk u realizua, sepse nisi Lufta e Dytë Botërore, por ajo është marrë në konsideratë gjatë relatave të nivelit të lartë jugosllavo-turk në fillim të viteve 50-të.(Vizita e Presidentit turk Xh.Bajar në Jugosllavi me 1952, vizita e J.B.Titos në Turqi me 1954 etj).
Pothuajse të gjithë shqiptarët e shpërngulur nga Çamëria dhe Kosova drejt territorit të shtetit turk u ngulën në zonat urbane qytetare ku kishte mundësi më të mëdha ambientimi dhe përballimi të jetesës. Megjithëse qeveria turke ishte e interesuar në popullimin e rajoneve të thella, kryesisht në brendësi të territorit shtetëror, ajo nuk i pengoi shqiptarët çamë e kosovarë të vendoseshin në qytete të pjesës europiane të Turqisë dhe në bregdetin e Azisë së Vogël.
3.2. Shpërngulja e shqiptarëve nga Çamëria e Kosova dhe vendosja e tyre në territorin e shtetit shqiptar përbënte për Greqinë dhe për Serbinë (Jugosllavinë) një zgjidhje të kushtëzuar e jo përfundimtare. Të dy palët e vlerësonin shpërnguljen e çamëve dhe kosovarëve në Shqipëri rezultat të pjesshëm dhe gjithashtu të pasigurtë për finalizimin e qëllimit. Mirëpo, ndërsa për Beogradin ky lloj drejtimi i shpërnguljes para vitit 1941 ishte vetëm dytësor dhe thuajse simbolik deri në Pleniumin e Brioneve, për Greqinë zuri vend parësor, pikërisht në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Duke shfrytëzuar rrethanat e fundit të luftës dhe duke spekulluar me politikën ballkanike të ndjekur prej fuqive fashiste, rrethet më ekstreme greke ndërmorën një fushatë genocidi masiv ndaj shqiptarëve, që u finalizua me dëbimin thuajse të plotë të shqiptarëve çamë të besimit mysliman nga Greqia.
Rajonet brenda kufijve shtetërore shqiptarë ku u vendosën kosovarët e shpërngulur para vitit 1939 dhe çamët e dëbuar pas vitit 1944, ishin pothuajse të njëjta. Ato ishin zona të përziera, më shumë fshatare dhe më pak urbane para vitit 1939, dhe thuajse tërësisht afër qyteteve pas vitit 1944. Më të njohurat ishin Durrësi, Elbasani, Vlora, Lushnja, Fieri, Kruja, Berati.
4. Rrethanat e shpërnguljeve.
Greqia dhe Serbia i kanë organizuar dhe kryer shpërnguljet e shqiptarëve çamë e kosovarë me të gjitha mënyrat dhe mjetet që i kanë vlerësuar rezultative. Ato kanë zbatuar krahas formave të kamufluara legale, edhe ato të dhunshme e tërësisht brutale.
4.1. Midis të dy luftrave botërore, Greqia dhe Serbia përdoren traktatet dy dhe shumë palëshe të paqes, si edhe marrëveshje të posaçme për të shpërngulur shqiptarë nga Çamëria dhe Kosova. Të tilla ishin Traktati turko-serb i paqes, i nënshkruar në Stamboll më 1914, Traktati i Lozanës i vitit 1923 që parashikonte raporte shpërnguljesh të ndërsjellta, kryesisht midis Greqisë e Turqisë por ku, krahas vendeve të tjera, përfshihej edhe Serbia; Marrëveshja
jugosllavo-turke e korrikut 1938, etj. Administratat qeveritare përkatëse greke dhe serbe (jugosllave) realizonin funksione të caktuara për të nxitur shpërnguljet e sanksionuara sipas traktateve e marrëveshjeve. Ato ishin të autorizuara të përshpejtonin çdo procedurë të nevojshme të kalimit pa kthim të kufirit nga shqiptarët deri edhe në shkeljen e rregullave formale të pajisjeve me dokumentat e duhura të largimit.
4.2. Megjithatë, format brutale ishin kryesoret për të nxitur shpërnguljen. Shprehja më tipike e këtyre metodave e mjeteve dhunuese të detyrimit për t’i dëbuar shqiptarët nga Çamëria ishin vrasjet masive të popullsisë pa dallim moshe dhe gjinie, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Formacione të rregullta ushtarake dhe njësi terroriste të komanduara nga gjenerali Zervas, që do të bëhej më pas ministër, vërshuan në të gjithë Çamërinë, nga gjiri i Artës deri në kufirin jugor të Shqipërisë, nëpër fshatrat e rrethinave të Paramithisë, Pargës, Gumenicës e të tjera. Dëshmitë e tmerrit janë fiksuar në raporte e informacione të kohës, të cilat ende vazhdojnë të jenë të shpërndara e të pasistemuara. Ato janë nga burime të ndryshme dhe nuk arrijnë të tregojnë shifrën e saktë të mijëra të masakruarve. Njëra prej tyre është ajo e ish anëtarit të Dhomës së Ulët të Parlamentit të Britanisë së Madhe Hutchinson, i cili njoftonte kolegët e tij në fund të vitit 1945 se “rreth 2.500 pjesëtarë të minoritetit shqiptar në Greqi janë vrarë nga grekët dhe 25.000 të tjerë kanë braktisur shtëpitë e tyreme fillimin e masakrave e të terrorit për të mos rënë në duart e forcave greke”
Dy studiues të sotëm britanikë vënë në dukje se “më 1944, duke u përpjekur të krijonte një rajon kufitar etnikisht të pastër, qeveria greke shpërtheu një fushatë terrori në Çamëri, si rezultat i së cilës rreth 35.000 çamë u arratisën në Shqipëri dhe të tjerë në Turqi”.
4.3. Treguesi më tipik i brutalitetit e dhunës së drejtpërdrejtë për të nxitur shpërnguljen në Kosovë, kryesisht deri në vitin 1966, por edhe më pas, kanë qenë të ashtuquajturat aksione të mbledhjes së armëve. Këto operacione ndëshkimore në përmasa të mëdha u përdorën gjerësisht midis dy luftrave botërore dhe pas viteve 50-të. Më tipiku midis tyre, që u shtri në tërë Kosovën dhe që shërbeu si nxitje për largimin masiv të shqiptarëve në Turqi, ka qenë i ashtuquajturi aksion i mbledhjes së armëve i dimrit të viteve 1955-1956. Masakrat dhe vrasjet masive, djegiet, përdhunimet e sidomos dëbimet arritën kulmin në vitin 1998 e veçanërisht në fillim të vitit 1999, kur më shumë se gjysma e popullit shqiptar në Kosovë u detyrua të shpërngulej nga vatrat e veta, ndërkohë që shifra e të vrarëve dhe të zhdukurve nuk dihet edhe sot pas një viti.
5 Ndërlidhja e faktorëve fetarë me shpërnguljet e shqiptarëve.
Në të dy shtetet ku është ideuar dhe zbatuar shpërngulja me dhunë ndaj shqiptarëve, në Greqi dhe në Serbi, institucionet fetare kanë qenë (vazhdojnë të jenë) shumë të fuqishme dhe me ndikim përgjithësisht të madh në administratat e shteteve përkatës. Karakteristikë përbën gjithashtu, fakti që strukturat kishtare në të dy shtetet pothuajse nuk kanë ndonjë dallim thelbësor nga njëri tek tjetri.
Me konstatimet e mësipërme nuk kam për qëllim të krijoj një tabllo artificiale të raporteve ballafaquese fetare midis shqiptarëve myslimanë nga njëra anë, dhe grekëve e serbëve ortodoksë nga ana tjetër. Dhe as të ndërlidh, po ashtu artificialisht, konstatimet e mësipërme me proceset thuajse shekullore të shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga Çamëria e Kosova. Për shqiptarët, në pergjithësi, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten të huaja kundërvëniet fetare, çka e dëshmon mirë fakti i bashkëjetesës normale të disa besimeve, të cilave ata u përkasin, përfshirë edhe atë ortodoks. Megjithatë mendoj se në Greqi dhe në Serbi ka patur manipulime të ngarkesave fetare që kanë ndikuar në ndërmarrjet ndaj shqiptarëve myslimanë, që do të thotë edhe në shpërnguljet nga shteti përkatës. Për ta konkretizuar pohimin po përmend pak fakte që lidhen drejtpërdrejt, ose ndryshe me problemin në shtjellim.
5.1. Kryeministri i parë grek që ka vizituar Tiranën ka qenë Konstandin Micotaqis, kryetar i dikurshëm i “Demokracisë së Re”. Zoti Micotaqis ka qenë gjithashtu, i pari kryeministër nga një vend anëtar i Bashkimit Europian që vizitonte Shqipërinë.
Në kontekstin e mësipërm vendimi europian i 14 majit 2000, që mori qeveria e kryeministrit Kosta Simitis për të shkëputur, qoftë edhe formalisht, raportet e shtetit të qytetarëve me ato të qytetarit fetar në Greqi, përbën një ndryshim të madh në krahasim me kohën kur shqiptarët myslimanë dëboheshin nga Çamëria vetëm pse kishin kombësi të ndryshme nga bashkështetasit.
5.2 Në Serbi Patriarku i Kishës Ortodokse ka qenë në të njëjtën radhë me autoritetet qeveritare kur, me masa administrative, përgatitej hapur masakrimi dhe shpërngulja e ardhshme e shqiptarëve të Kosovës. Krerët më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe kishin qenë, gjithashtu, nxitës e mbështetës të ideve dhe të programit të Akademisë Serbe të Shkencave e Arteve për të rivënë në vend atë që në fund të viteve 80-të u quajt “nderi i nëpërkëmbur serb”. Kisha Ortodokse Serbe dhe drejtuesit e saj e mbështetën me gjakftohtësi procesin brutal të vrasjeve dhe varrimeve masive të fëmijve, grave e pleqve, të përdhunimeve sistematike e të shpërnguljeve tërësore që ushtria dhe njësitë terroriste i kryen në Kosovë më 1998 e sidomos në vitin 1999. Edhe kur Komuniteti Ndërkombëtar ndërhyri me vendosmëri, më në fund, për ndalimin e genocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, Kisha Ortodokse Serbe dhe krerët e saj nuk arritën të shkëputeshin nga mentalitetet e rrënjosura nacionaliste dhe, më së paku, nuk kërkuan falje publike për rrënimet e shkaktuara nga pushteti serb në Kosove. Për fat të keq, ende sot dhe thuajse në tërësi, Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të jetë jashtë vlerave e funksioneve që kanë themeluar dhe udhëheqin në përgjithësi institucionet fetare, pavarësisht nga emërtimet e tyre.
6. Pasojat e shpërnguljeve me dhunë
Pasojat që kanë shkaktuar shpërnguljet me dhunë tek shqiptarët e Çamërisë dhe të Kosovës në disa drejtimejanë të njëjta e në shumë të tjera ndryshojnë.
*Shpërnguljet kanë shkëputur nga shtëpitë e tokat e tyre dhjetëra e qindra mijë shqiptarë të Kosovës e Çamërisë dhe i kanë lëshuar në treva të tjera, kryesisht të huaja.
* Shpërnguljet me dhunë, ashtu si në tërësi politika antishqiptare, kanë thelluar së tepërmi hendekun e marrëdhënieve ndërnacionale, pasojat e të cilit janë shumë të dukshme edhe sot, në Kosovë sidomos.
* Në Kosovë, megjithë intesitetin e dhunës, vijimësinë rreth një shekull e gjysëm, numrin e madh prej afro 1 milion të dëbuar të pakthyer, shpërnguljet nuk arritën të përmbushin qëllimin e ideatorëve dhe zbatuesve të tyre. Në Kosovë shqiptarët përbëjnë mbi 90% të popullsisë.
* Në Çamëri, për shkak të numrit relativisht të kufizuar të shqiptarëve (në krahasim me Kosovën), për shkak të brutalitetit të skajshëm të dëbuesve, për shkak të rrethanave të pafavorshme që lidheshin me gjendjen e shtetit shqiptar dhe qëndrimin indiferent të Komunitetit Ndërkombëtar, shpërnguljet e realizuan qëllimin e ideatorëve dhe zbatuesve të tyre.
Aktualisht në Çamëri nuk bëhet fjalë për ekzistencën e shqiptarëve vendas me përjashtim të ndonjë numri të pakët të konvertuar në fenë ortodokse dhe që nuk mund a deklarojë kombësinë.
Është vështirë të gjesh sot libra historie, enciklopedi apo botime të tjera të kësaj natyre, me përjashtim të numrit relativisht të kufizuar të botimeve shqipe, ku të pasqyrohet e vërteta historike e tragjedisë shpërngulëse të shqiptarëve çamë. Këtu nuk është fjala vetëm për botime të origjinës greke, në çdo gjuhë, por edhe për publikime të mirënjohura anë e kënd, të tilla si Enciklopedia Britanike apo Informatori i Biblotekës së Kongresit të SHBA.
Pas kësaj, are lehtë, gjithshka i mbetet harresës dhe shmangies, dashur pa dashur, nga detyrimet e njohura ndërkombëtarisht të të drejtave legjitime të popujve apo individëve, në rastin tonë të të drejtave të shqiptarëve të shpërngulur çamë, tani ende të mohuara.
Njëra prej tyre është ajo e pronave dhe e pasurive të tyre private në vendin e të parëve, në Çamëri. Pikërisht për të ndikuar në fillim sadopak e shkallë-shkallë më tej, në mbushjen e zbrazësive për Çamërinë, do të duhej të organizohej më mirë gjurmimi dhe publikimi i të dhënave dokumentare, si ai kryer më 1999, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, posaçërisht në anglisht. Do të duhej gjithashtu të shtoheshin kërkimet shkencore dhe botimet në gjuhë të huaja të studimeve historike, letrare, folklorike e të çdo gjinie tjetër. Pa lënë mënjanë publikun shqiptar, për to ka nevojë më shumë auditori i huaj i interesuar dhe, posaçërisht, rrethet akademike, politike e diplomatike.
Putney, 14 Qershor 2000 (Kjo kumtesë është mbajtur në Seminarin e Parë Kulturor “Mbi Çamërinë” të organizuar nga “The Albanian American Cultural Foundation” dhe “The Kosova Relief Fund, USA, Inc.” në “Fordham University”, Bronx, New York, USA më 17 Qershor 2000).

Comments are closed.